Arsimi
si veprimtari e rëndësishme shoqërore paraqet kapitalin themelor të shoqërisë
bashkëkohore dhe, si i tillë, sot konsiderohet faktori kryesor në zhvillimin
ekonomik e shoqëror të çdo vendi. Krahas shtimit të popullsisë në planetin
tonë, harxhimit të burimeve minerale e energjetike, problemeve të ndotjes e
globalizimit dhe formave të ndrysh
me të integrimeve, njohurive të marra
gjegjësisht, arsimimi fiton peshë edhe më të madhe. Njohuritë, shkathtësitë dhe
informacionet që mësimdhënësit bartin te nxënësit dhe studentët do të kthehen
në një fuqi zhvillimi dheprogresi për vendin konkret
1.1
Arsimi është faktor thelbësor i zhvillimit
Rëndësia
e arsimit në zhvillimin ekonomik e shoqëror të çdo vendi është një prej temave
që kudo në botë diskutohet dhe shtjellohet nga aspekte të ndryshme. Arsimi mund
të kuptohet si procesi i marrjes së vazhdueshme të diturisë dhe i shkathtësive
për jetën, i të gjithë njerëzve, në institucione arsimore publike dhe jopublike,
apo marrja e njohurive në mënyrë formale, joformale dhe informale. Arsimi në
çdo aspekt është faktor thelbësor i zhvillimit. Ndaj, ky sektor pothuajse në
çdo vend trajtohet si sektor me prioritet. Në të vërtetë ç'është ajo që
njerëzit e arsimuar i dallon nga të tjerët?
Pos
të tjerash, ata i dallon aftësia e tyre për të eksploruar teknologjinë e re dhe
rrjedhimisht rritjen e produktivitetit të punës, mendja e hapur,
njohuritë e konsiderueshme për dukuritë shoqërore dhe natyrën, janë më
pragmatikë, etj.
Asnjë
vend nuk mund të arrijë që të ketë zhvillim ekonomik e shoqëror të mirëfilltë e
të qëndrueshëm pa investime në faktorin njeri. Historikisht është dëshmuar se
zhvillimi i arsimit ka sjellë shtimin e produktivitetit të punës, e kështu
është rasti me disa prej shteteve të Evropës Perëndimore, siç janë: Gjermania,
Franca, Anglia, etj, si edhe SHBA. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore,
produktiviteti i punës në SHBA ka ardhur duke u ngritur në mënyrë të
vazhdueshme. Nga viti 1947 deri
në vitin 1994 ai është rritur tri herë. Pikërisht falë arsimimit, në këto dhe
shtete të tilla janë bërë zbulimet e mëdha shkencore dhe revolucionet
tekniko-teknologjike, të cilat kanë qenë vendimtare për njerëzimin në
përgjithësi. Në të vërtetë arsimi është dituri dhe dituria është forcë shtytëse
e zhvillimit të gjithëmbarshëm të një shoqërie. Ekonomistët e njohur botërorë
si Adam Smith dhe Alfred Marshall, në shekullin 18-të e 19-të janë preokupuar
për investimet në arsim, duke parashtruar pyetjen: Si reflektohen investimet në arsim, në pasurinë kombëtare dhe në
shtimin e mundësisë për fitime më të mëdha të njerëzve si individ?!. Po
ashtu, më vonë, edhe ekonomistë të njohur botërorë janë marrë me këtë çështje,
ku në bazë të të dhënave empirike kanë dhënë shpjegime lidhur me relacionin
ndërmjet arsimimit dhe shtimit ekonomik. Në ekonomitë e zhvilluara ka vlerësime
se për çdo vit të arsimimit të një individi shtohet mundësia që ai t'i rrisë
fitimet në shkallë relative 10 për qind.
Masa e investimeve në arsim ndryshon nga shteti në shtet,
varësisht nga potenciali ekonomik dhe nga prioritetet
dhe politikat që ka përcaktuar vendi përkatës. Në bazë të të dhënave,
ShBA-ja është shteti, i cili më së shumti ndan para për arsim. Sidoqoftë, një
indikator i rëndësishëm sigurisht është përqindja
bruto e produktit vendor (GDP) i ndarë
për zhvillim të arsimit të çdo vendi të botës, e posaçërisht masa absolute
e mjeteve financiare.
Tashmë kur është kuptuar roli i arsimit në zhvillim të
përgjithshëm ekonomik e shoqëror të çdo vendi, bëhet përpjekje që të investohet
sa më shumë në të. Siç dihet, në investime arsimore përfshihen buxheti i dedikuar për ngritje dhe
rinovim të objekteve arsimore, blerjen e
pajisjeve laboratorike, rregullimin e infrastrukturës dhe ambientit të jashtëm, për sigurimin e pagave të
mësimdhënësve, ndarja e subvencioneve të ndryshme për nxënës e studentë,
reformimin dhe rishikimin e planeve dhe të programeve mësimore, krijimin e
mundësive për mobilitet etj.
Veçanërisht
investimet duhet të jenë në funksion të
shtimit të cilësisë së arsimit, meqenëse kjo siguron zhvillim të
qëndrueshëm ekonomik e shoqëror. Shkalla
më e lartë e arsimimit i bën punëtorët që të jenë në gjendje që më lehtë dhe më
shpejt të adaptohen në një punë të re, por njëkohësisht të kenë aftësi më të
mëdha komunikimi. Arsimimi ndikon po ashtu edhe në rritjen e standardit jetësor
në përgjithësi, sigurisht nga fakti se njeriu i arsimuar di ta rregullojë jetën
e vet më mirë, në kushtet e tjera të njëjta. Asnjë vend nuk ka arritur që të
ketë zhvillim ekonomik konstant pa investime të konsiderueshme në kapitalin
njerëzor. Zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe i teknologjisë ka bërë që të
përqafohet ideja e mësimit tërëjetësor
dhe gjithëpërfshirja e popullatës në këtë. Sidoqoftë, vendet e ndryshme
dallohen jo vetëm për nga sasia apo
masiviteti, por edhe për nga kualiteti i arsimit.
Zhvillimi
i arsimit dhe zhvillimi ekonomik kanë një lidhshmëri mjaft funksionale dhe
ndikim reciprok njëkohësisht. Është bërë pothuajse praktikë e rendomë që të
vihet në pah vetëm roli i arsimit në zhvillim të ekonomisë, por jo edhe roli i
ekonomisë në zhvillim të arsimit. Vlen të përmendet se, cilësia e arsimit veçanërisht
është komponent që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të çdo vendi.
Sfida e vendit tone për tu integruar në Evropë nënkupton, hyrjen në një system
gare me vende të tjera në çdo pikëpamje, edhe kur është fjala për dituri,
thithjen e investimeve, zgjidhjen e sfidave të ndryshme në përmasa globale dhe
kombëtare. Kjo gjë është vërejtur dhe është studiuar historikisht në vende të
ndryshme të botës. Kur flitet për arsimim, natyrisht se aludohet në dituri,
shkencë etj. Ka mendimtarë që diturinë e identifikojnë me fuqi, pra këtu
mendohet në nivel të zhvillimit të forcave prodhuese, aftësi inovacioni dhe
shkence, implementimi i zbulimeve nga të gjitha fushat, në ngritje të
mirëqenies njerëzore etj.
1.2 Si ndikon ekonomia në zhvillim të
arsimit?
Është
e kuptueshme se vendet me nivel të ulët të zhvillimit ( investime dhe buxhet
shtetëror të ulët), nuk mund të ndajnë mjete të mjaftueshme për intensifikim të
arsimit dhe e kundërta. Ekonomia në zhvillim të arsimit reflekton:
*
Në sigurimin e masës së buxhetit për investime kapitale dhe shpenzime të tjera,
në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira në shkollë;
* Në motivimin e
mësimdhënësve duke siguruar nivel të pranueshëm të pagave;
*
Në krijimin e kushteve për hapjen e vendeve të punës për të rinjtë, ekspertët
dhe të kualifikuarit e tjerë;
* Në krijimin e mundësive
të aftësimit praktikt të nxënësve dhe studentëve;
*
Në ofrimin e informacioneve cilësore dhe sasiore për sistemin arsimor, për atë
se cilat profile të ekspertëve kërkon tregu aktualisht dhe në të ardhmen, në
vendin përkatës;
*
Në zvogëlimin e dukurisë së braktisjes
së shkollimit të nxënësve të të gjitha niveleve të arsimit;
Pa
ekonomi të zhvilluar dhe rrjedhimisht pa masë të konsideruar të buxhetit
dedikuar për arsim, nuk mund të ndahen fonde për arsim. Pa ekonomi të zhvilluar
nuk mund të ndodhë absorbimi i njerëzve të diplomuar. Në të kundërtën, do të
vihej në situatën, kur të diplomuarit
duke mos gjetur angazhim në profesionet e tyre ose të ngjashme, do të
detyroheshin ose të migrojnë, ose të sillen në situata, që të harrojnë dituritë
e marra. Në të dy rastet do të bëhet humbja e investimeve të bëra për këtë
qëllim. Konkurrenca gjithnjë e më e madhe ndërmjet vendeve të industrializuara
për prodhime dhe shërbime cilësore është në lidhshmëri të ngushtë me zhvillimin
e shkencës, teknologjisë dhe të arsimit. Ndoshta këto rrethana kanë bërë që
arsimi të marrë karakter të një procesi shumë dinamik. Sipas botëkuptimeve të
Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP), baza materiale apo niveli
i caktuar i zhvillimit ekonomik dhe arsimimi mundësojnë zhvillimin human, si
koncept më i gjerë se vetë zhvillimi arsimor apo ai ekonomik, të shikuara
ndaras. Pra mund të thuhet se kemi
zhvillim human në një vend të caktuar vetëm atëherë kur gërshetohen në mes
vetes: zhvillimi i arsimit cilësor, shtimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies.
Nisur nga ky botëkuptim
dhe indikatorët e zhvillimit makroekonomik mund të thuhet, se në pjesën
dërrmuese të vendeve të rajonit, nuk
mund të bëhët fjalë për zhvillim human të mirëfilltë. Si pasojë e
mungesës së kësaj, njerëzit e këtyre vendeve shpeshherë nuk mund t'i zhvillojnë
të gjitha potencialet e tyre në masë të duhur dhe për këtë arsye është e pranishme dukuria e
“ikjes së trurit“ drejt vendeve të
zhvilluara. Bazuar në këtë, del se ekonomisë dhe arsimit u duhet dhënë rëndësi
njëkohësisht, duke krijuar politika të favorshme me efekte të ndërsjella. Nuk
do të ishte e mjaftueshme që vetëm të numërojmë të diplomuarit, duke mos
krijuar parakushte të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësisë që ata të
diplomuar të materializojnë dhe të valorizojnë diturinë e tyre në interesin
personal dhe të shoqërisë. Mund të thuhet se niveli i arsimit të një qeverie
nuk mund të jetë i kënaqur nëse pjesës dërrmuese të të diplomuarve nuk i jepet mundësia që
shkathtësitë e fituara t'i shfrytëzojnë për ngritjen e mirëqenies së tyre
personale dhe zhvillimin e vendit. Ka mendime se të rinjtë e diplomuar, të
cilët në vazhdimësi nuk mund të gjejnë punë, mund të jenë burim i pakënaqësive
dhe i destabilizimit në një shoqëri. Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik
paraqet faktor limitues në zhvillim cilësor të arsimimit dhe pamundëson
arritjen e standardeve të pranuara ndërkombëtarisht.
Çështje
për diskutim:
1. Shpjegoni
si ndikon arsimi në zhvillimin ekonomik e shoqëror të një vendi.
2. Çfarë
përfshihet në investimet arsimore dhe në funksion të kujt janë këto investime?
3. Si
ndikon ekonomia në zhvillim të arsimit?